//
you're reading...
Publikime

Zbatimi i kodit të procedurës penale dhe ligjit penal për të mitur në punën e policisë dhe inspektorëve policor të Kosovës

Zbatimi i kodit të procedurës penale dhe ligjit penal për të mitur në punën e policisë dhe inspektorëve policor të Kosovës

 

Mr.sc. Xhevdet Halili, Phd. Cand.*

 

Vërejtje hyrëse

Në kaudër të këtij punimi do të trajtohet në mënyr specifike aplikimi i kodit të procedurës penale të Kosovës dhe ligjit pneal për të mitur, të cilët gjejnë zbatim të drejtpërdrejt në punën e inspektorëve policor të Kosovës në hetimin e shkeljeve të rënda diciplinore të shkakatuara nga zyrtarët e policisë së Kosovës.

Duke analizuar dhe shtjelluar fillimisht detyrat e policisë së Kosovës në lidhje me hetimin dhe zbulimin e veprave penale të shkaktuara në territorin e Kosovës; detyrat dhe autorizimi e policisë për të marrë mostrat e trupit personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale; autorizimet e policisë për kërkimin e nënshtrimit të testit të alkoolit të personave ndaj të cilëve dyshohet se janë nën ndikimin e këtyre preparateve.

Po ashtu edhe autorizimet e policisë për t’i ndaluar dëshmitarët e mundshëm të cilët mund të jenë në dijoni për ndonjë vepër penale; Detyrimi i policisë në ruajtjen dhe respektimin e masës mbrojtës dhe urdhrit për anonimitet në raste e hetimeve ku aplikohet kjo masë; Autorizimet e policisë për të fotografuar dhe për të marrë gjurmët e gishtave personave të cilët dyshohen për vepër penale të kryer; Autorizimet dhe detyrat e policisë për arrestim dhe ndalim të personit te dyshimt për vepër penale; Të drejtat e qytetarit  në kohën e arrestimit dhe obligimi i zyrtarëve policor për të njohur këto të drejta dhe për të respektuar;

Si dhe krejt në fund edhe arrestimin dhe ndaljen e personave të mitur, kategorizimin e tyre; Autorizimet e policisë për kontrollim të personit dhe lokaleve; Mbajtja e procesverbalit nga ana e zyrtarëve policor gjatë gjithë procesit të kryerjes së këtyre veprimeve hetimore dhe operative nga ana e policisë.

 

 

 

1.Detyrat e policisë në lidhje me veprat penale

Sipas KPPK-së, nëse ekziston dyshim i arsyeshëm se është kryer një vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, policia ka për detyrë, qoftë me vetiniciativë ose me kërkesë të prokurorit publik, të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme që të gjendet kryerësi i veprës penale, që kryerësi dhe ndihmësi i tij të mos fshihet ose të mos ikë, të gjejë dhe të ruaj gjurmët e veprës penale dhe sendet të cilat mund të shërbejnë si provë, si dhe të mbledhë të gjitha informacionet të cilat mund të përdoren në procedurë penale si dëshmi për zbardhjen e rastit konkret.[1]

Për t’i kryer këto detyra të sipërpërmendura policia mund të kërkojë informacione të nevojshme nga qytetarët, të kryej kontroll të përkohshëm të automjeteve, të udhëtarëve dhe të valixheve të tyre; që për kohë të nevojshme të kufizojë lëvizjen në vendin e caktuar; të ndërmarr masat e nevojshme për të gjetur personin ose sendin i cili kërkohet; që në praninë e personit përgjegjës të kontrollojë objektet dhe lokalet e organeve publike dhe të shqyrtojë dokumentet e caktuara që u përkasin atyre; të konfiskojë sendet të cilat duhet të merren sipas KPPK-së, ose që mund të shërbejnë si prova në procedurë penale; dhe të ndërmarrë masa dhe veprime tjera të nevojshme[2].

Përveq detyrave të sipër përmendura  që kryesisht janë detyra të cilat policia i kryen pas kryerjës së vepreës penale (represive), policia ka për detyrë që të marrë edhe masa preventive me qëllim të parandalimit të kryerjes së veprave penale dhe të sigurimit të një ambienti sa më të qetë dhe më të sigurt për qytetarët.

Inspektorët policor të Kosovës me rastin e zhvillimit të hetive të tyrë për shkelje të rënda diciplinore nga ky segment duhet të bazohen pikrisht në këto dispozita.

2. Autorizimi e policisë për të marrë mostrat e trupit

Në cilat raste dhe kur policia ka të drejtë  të marrë mostrat e trupit nga personat e dyshuar tani më do ti trajtojm në kuadër të këtij punimi. Parimisht policia nuk ka të drejtë të marrë mostrat e trupit, ndërsa përjashtimisht në raste të jashtëzakonshme dhe të ngutshme policia ka te drejtë ta bëjë një gjë të till.

Policia me ndihmën e mjekut apo të infermierit të kualifikuar, e në raste të jashtëzakonshme vetë ajo, mund të mbledhë mostra nga i dyshuari nëse kjo është e ngutshme.

Në këto mostra përfshihet mostra e flokut dhe e folikulës, pështyma, urina, sekreti i hundës, pjesa sipërfaqësore e lëkurës duke përfshirë edhe zonën e ijëve, thonjtë, e mostra të pjesës së poshtme të thoit si dhe mostra tjera të ngjashme, të cilat nuk përbëjnë ndërhyrjen trupore, ato mund të merren gjatë ekzaminimit.[3]

Personat zyrtar përveq punëve të tjera zyratre që kanë, në rastin konkret specifikisht policia janë të autorizuar por kanë edhe obligim që ta ruajnë rendin publik dhe paqen.[4]

Në këto raste policia me ndihmën e mjekut apo infermierit të kualifikuar e në raste të jashtëzakonshme vetë mund të mbledhë mostrat. Por është tejte me rëndësi që mostrat e marrura nga policia të ruhen në përputhje me rregullat dhe parimet e policisë dhe të mos dëmtohen.

Mirëpo, nëse policia i detyron personat që këto mostra t’i japin pa ndihmën e mjekut apo infermierit dhe se në rastet kur nuk është i jashtëzakonshëm, atëherë krijon situatë e cila konstaton se ka bërë shkelje të detyrës dhe autorizimeve të tij. Asnjë mostër nuk duhet të mirret me detyrim pa urdhrin e gjykatës.[5]  Provat e tilla në procedurën penale si të tilla kosiderohen të pa pranueshme.

3. Autorizimet e policisë për kërkimin e nënshtrimit të testit të alkoolit

Policia mund të kërkojë nga i dyshuari t’i shtrohet alkotestit përmes mostrave të urinës ose të frymëmarrjes. Mirëpo, policia këto mostra mund t’i kërkojë vetëm me urdhër të gjykatës në rastet kur vendos që këto mostra t’i merr me detyrim. [6]

Urdhri i gjykatës kërkohet për çfarëdo ekzaminimi që përfshinë ndërhyrje trupore siç janë mostrat e gjakut, përveç nëse personi jep pëlqimin. Provat e marra me shkelje të dispozitave të procedurës penale janë të papranueshme kur ky Kod ose dispozita të tjera të ligjit shprehimisht parashikojnë kështu.[7]

Nëse policia bën ekzaminimin fizik që ndërlidhet me ndërhyrjet trupore pa urdhër të gjykatës atëherë konsiderohet shkelje e KPPK-së dhe të drejtave dhe lirive të personit “shkelja e intimitetit”.

Dëshmit apo provat e marrura në kundërshtim me procedurën penale konsiderohen si të pa pranueshme dhe si të tilla nuk munden të merren parasysh me rastin e shqiptimit të sanksionit penal ndaj të dyshuarit.

4. Autorizimet e policisë për t’i ndaluar dëshmitarët e mundshëm

Në fazën e gjurmimit dhe hetimit të veprës penale dhe të kryerësit të saj policia ka edhe autorizime të tjera.

Në saje të autorizimeve të saja policia ka të drejtë të ndaloj edhe dëshmiataret e mundshëm por siq potencojnë edhe autor të ndryshmë bashkpunimi i qytetarëve më policinë është tejet i rëndësishem dhe me influencë mjaft të madhe në ndihmesën e zhvillimit të hetimeve sa më efikase. Përveq bashkpunimit të qytetarve me policinë, me rëndësi tejet të madhe ëhtë edhe bashkpunimi ndermjet institucioneve si gjykatave, prokurorive dhe policisë.

Siq potencon profesor V. Latifi “Roli i i policisë është të ndihmoj autoritetin gjyqësor (prokurorin dhe gjykatat) që ti kryejnë veprimet hetimore dhe gjyqësore pa nderprerje, sa më shpejtë, me besim dhe në bashkëpunim me njëri tjetrin.[8]

“Policia ka të drejtë t’i ndalojë dhe të mbledhë informacione nga personat që gjenden në vendin e kryerjes së veprës penale, të cilët mund të japin informacione të rëndësishëm për procedurën penale, nëse ka gjasa që mbledhja e informacionit nga këta persona më vonë do të jetë e pamundur ose do të zvarriste në mënyrë të konsiderueshme procedurën apo do të shkaktonte vështirësi të tjera”[9].

Ndalimi i personave të tillë nuk mund të zgjasë më shumë se sa është e nevojshme për të marrë emrat, adresat dhe informacionet e tjera që kanë lidhje me këtë dhe jo më shumë se gjashtë orë. Ndalimi i tillë mund të bëhet vetëm nëse nuk ka mjete të tjera për të arritur deri tek informacioni, përndryshe do të konsiderohet privim i kundërligjshëm i lirisë së lëvizjes.

5. Detyrimi i policisë në ruajtjen dhe respektimin e masës mbrojtës dhe urdhrit për anonimitet

Kodi i procedurës penale parasheh dy masa me qëllim që të rritet besimi iq yetetrëve në isntitucionet me rastin kur qytetarët konsiderohen të rrezikuar kur janë në cilësin e dëshmitarëve, të dëmtuarëve apo vetëm palë në procedurë, ato janë: 5.a. masa mbrojtëse; 5.b. urdhëri për anonimitet

Masat mbrojtëse me qëllim të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe gjithashtu të inkurajojë pjesëtarët e shoqërisë për të ndihmuar në çrrënjosjen e krimit.

Urdhëri për anonimitet ka për qëllim që të mbrojë pëesonat që të mos dihet identiteti i tyre nga personat e tretë, pos atyre zyratrëve që është e domosdoshme ta dijnë dhe të cilët evidnetohen për dijenin që kanë dhe kan konsekuenca ligjore ne e zbulojne një gjë të tillë.

Të dhënat në lidhje me personat të cilët janë nën këto masa policia nuk guxon që t’i bëjë publike si emri, adresa, profesioni ose ndonjë të dhënë a informatë tjetër që mund të përdoret për të identifikuar të dëmtuarin ose dëshmitarët.

Urdhëri për anonimitet  e ka rëndësin e vetë për shkak të përmbajtjës së qështjes dhe jo për shkak të anonimitetit apo mos pasjës së informacioneve mbi identitetin e personit në fajalë.[10]

Anonimitet” është mungesa e informatave të dhëna për identitetin ose vendndodhjen e të dëmtuarit apo të dëshmitarit, identitetin ose vendndodhjen e anëtarit të familjes së të dëmtuarit apo dëshmitarit ose identiteti i cilitdo personi që ka lidhje me të dëmtuarin apo me dëshmitarin.[11]

6. Autorizimet e policisë për të fotografuar dhe për të marrë gjurmët e gishtave

Policia mund të fotografojë personin dhe të marrë shenjat e gishtave të tij vetëm nëse ekziston dyshim i arsyeshëm se ai ka kryer vepër penale, në të kundërtën bënë shkelje të lirive dhe të drejtave themelore të lirisë së personit. [12]

Gjithashtu, policia vetëm me urdhër të prokurorit publik mund të publikoj fotografinë e personit të dyshuar dhe të kërkuar, kur është e nevojshme të bëhet përcaktimi i identitetit të  dyshuarit dhe në raste tjera kur do t’i kontribuojë zbatimit efikas të procedurës.

Në disa raste kur është e nevojshme për të identifikuar se të kujt janë shenjat e gishtave të gjetura në objekte të caktuara, policia mund të marrë shenjat e gishtave të personave të cilët me gjasë mund të ken pasur kontakt me objektet e tilla.[13]

Puna e inspektorëve policor doemos duhet të fokusohet në mënyrën e marrjës së gjurmëve të gishtave, respektimi i procedurës për marrjen e gjurmëve, a është bërë një gjë e tillë në përputhje me parimet dhe procedurat e policisë së shtetit tonë dhe a kan qenë po ashtu në përputhje me kodin e etikës së policisë evropiane.

Për të kontrolluar policinë duhet punë e madhe, policia e Kosovës ka një numër të madhë të policëve dhe mundësia e kontrollit adekuat të saj është mjaft e vështir, andaj pikërisht për këtë janë krijuar institucione dhe mekanizam të cilët e përcjellinn dhe e bëjnë kontrollimin, mbikqyrjen dhe inspektimin e punë së policisë.[14]

7. Autorizimet e policisë për arrestim dhe ndalim të personit

Policia mund ta arrestoj dhe ndalojë një person në bazë të autorizimit të rëndomtë dhe të veçantë për arrestim. Policia mund ta arrestojë dhe ta ndalojë personin e dyshuar kur ekziston ndonjë arsye për paraburgim.

Policia mund ta arrestoj personin që kapet në flagrancë gjatë kryerjes së veprës penale e cila ndiqet ex officio (zyrtarisht) dhe kur është kapur pasi që është ndjekur nga vendi i kryerjes së veprës.[15]

Ka raste kur  nje person kapet në flagrancë gjatë kryerjes së veprës penale e cila ndiqet sipas detyrës

zyrtare ose është në ndjekje për veprën e kryer penale, policia ose çdo person tjetër është i autorizuar ta arrestojë atë përkohësisht edhe pa urdhër të gjykatës. Personi të cilit i është hequr liria nga persona të tjerë përpos policisë, menjëherë i dorëzohet policisë, e kur kjo është e pamundur menjëherë njoftohet policia ose prokurori publik.[16]

Mirëpo, arresti dhe ndalimi duhet bërë në bazë të autorizimit të prokurorit publik, përveç rrethanave të jashtëzakonshme kur policia pa urdhër mund ta arrestoj personin.

“Autorizimet e veçanta për arrestim sipas nenit 212 të KPPK-së, policia ka autorizime “të veçanta” për arrestim nëse:a) Ekziston dyshim i bazuar se ai ka kryer vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare;b) Arrestimi dhe ndalimi është i nevojshëm për identifikimin e personit, verifikimin e alibisë, mbledhjen e informacioneve dhe të të dhënave për veprën penale në fjalë dhe aplikohen një nga këto që vijon:

i. Kur ai fshihet, kur identiteti i tij nuk mund të vërtetohet ose kur ekzistojnë rrethana të tjera që tregojnë se ekziston rrezik i ikjes së tij apo fshehjë së tij në ndonjë vend të cakatuar
ii. Kur ka arsye për të besuar se ai do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se ai do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit a në bashkpjesëmarrësit ose
iii. Kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, mund ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej.”

Policia mund të privojë personin nga liria kur ekzistojnë arsyet për ndalim nga  sipas kodit të procedurës penale, por detyrohet që pa vonesë ta sjellë te gjyqtari i procedurës paraprake për të vendosur mbi paraburgimin.[17]

Andaj konsiderohet tejet me rëndësi  qe me rastin e arrestimit të peronave apo privimit të tyre nga liria të respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut në përputhje me aktet dhe konventat ndërkombëtare.

Qështje tejet sensitive konsiderohet arrestimi dhe privimi i personit nga liria andaj inspektorët policor me rëastin e trajtimit të shkeljeve të rënda të shakaktuar nga polici ndaj qytetarëve duhet të jenë shum vigjilent dhe të marrin në konsiderat të gjitha provat dhe dëshmit e mbledhura.

Kjo fushë e hetimit nga ana e inspektorëve policor ka rëndësi tejet specifike dhe mjaft të ndieshme për shkak se në këtë raste vjen në shprehje parimi i huamnitetit i cili duhet të zbatohet ndaj personave te privuar nga liria.

8. Të drejtat e qytetarit në kohën e arrestimit

Pasi që është arrestuar personi i dyshuar atij duhet lexuar të drejtat në vendin e arrestimit dhe atë brenda 6 orëve të ndalimit duhet t’i lëshohet vendimi mbi ndalimin.

Ekzistojnë shtatë të drejta që duhet lexuar personit të arrestua nga ana e zyrtarëve policor, si:

 1. Të informohet në gjuhën që ai e kupton për arsyet e arrestimit,

2. Se mundë të heshtë dhe të mos përgjigjet në asnjë pyetje, përveç dhënies së informatave mbi identitetin e tij,

3. T’i sigurohet përkthim falas nëse nuk e kupton ose nuk e flet gjuhën e policit,

4. Të shfrytëzojë ndihmën e mbrojtësit dhe t’i caktohet mbrojtës nëse nuk ka mundësi të paguajë për ndihmë ligjore,

5. Për arrestimin e tij ta lajmërojë ose të kërkojë nga policia ta lajmërojë anëtarin e familjes ose ndonjë person tjetër sipas zgjedhjes së tij,

6. Të ketë kontroll dhe trajtim mjekësor duke përfshirë edhe trajtimin psikiatrik, dhe

7. Kur personi i arrestuar është shtetas i huaj, ai ka të drejtë të njoftojë ose të kërkojë të njoftohet dhe të komunikojë gojarisht a me shkrim me zyrën e ndërlidhjes, me misionin diplomatik të shtetit, shtetas i të cilit është ai ose me përfaqësuesin e organizatës kompetente ndërkombëtare kur ai është refugjat ose është nën mbrojtjen e ndonjë organizate ndërkombëtare.[18]
Personi i ndaluar duhet dorëzuar sa më shpejt që është e mundur tek gjyqtari i procedurës paraprake por jo më vonë se 48 orë nga arrestimi. Gjatë arrestimit duhet respektuar dinjitetin e personit të arrestuar. Gjatë marrjes së deklaratës nuk duhet të përdoret ndonjë mjet apo metodë (forcë, shtrëngim, kanosje) që do të ndikonte në dhënien e deklaratës nga ana e personit të arrestuar, kjo parashihet decidivisht në kodin e procedurës penale të Kosvës.

Nëse deklarata e personit të arrestuar është marrë duke i përdorë këto mjete dhe metoda atëherë ajo do të konsiderohet si provë e papranueshme në procedurën penale. Po ashtu si provë e papranueshme konsiderohet edhe marrja e deklaratave të dëshmitarëve të privilegjuar.
Personat e arrestuar të gjinisë së kundërt nuk duhet të vendosen në të njëjtën dhomë.

Gjatë arrestimit dhe ndalimit personit i cili është ndaluar më shumë se 12 orë i sigurohen 3 racione ushqimi në ditë. Brenda 24 orëve personi i arrestuar ka të drejtë në më së paku 8 orë pushim pandërprerë dhe gjatë kësaj kohe nuk merret në pyetje as nuk trazohet nga policia lidhur me hetimin.Gjatë marrjes në pyetje nuk kërkohet nga personi i arrestuar që të qëndrojë në këmbë dhe nuk i mohohet ushqimi, uji dhe kujdesi i nevojshëm mjekësor.

Kur personi i arrestuar tregon shenja të çrregullimit mendor ose të paaftësisë mendore, policia është e detyruar që menjëherë pas arrestimit njofton personin e caktuar nga personi i arrestuar dhe qendrën për punë sociale për arrestimin dhe vendin e ndalimit dhe për çfarëdo ndryshimi të mëvonshëm të vendit të ndalimit menjëherë pas ndryshimit të tillë.

Po ashtu kur polici vëren se personi i arrestuar tregon shenja të sëmundjës mendore policia menjëher mundet ta urdhëroj kontrollin nga një psikiatër.[19]

Të drejtat e njeriut në kohën e arrestimit janë të përcaktuara si me lagjislacionin nacional po ashtu edhe me akte dhe konventa të ndryshme ndërkombëtare, përmes të cilave synohet që të respektohen dhe zbatohen lirit dhe të drejtat e njeriut veqanërisht në kohën kur personat janë të privuar nga liria apo gjenden në procesin hetimor.

Andaj Inspektorët policor zakonishtë kur bëjën hëtime për shkelje të natyrës së kësaj fushe kanë mjaftë bazë ligjore ku munden te referohen per mbrojtjejn  e të drejtave të njeriut dhe ato dispozita ligjore të aktve  të ndryshme duhet ti aplikojne rastin e shqiptimit të masave diciplinore ndaj zyratrëve policor.

9. Arrestimi dhe ndalja e personave të mitur

Policia duhet të ketë parasysh dhe është e obliguar që t’i përmbahet parimit se privimi i lirisë së personit të mitur mund të bëhet vetëm si mjet i fundit dhe do të kufizohet në afatin sa më të shkurtër të mundshëm. Gjatë privimit të personit të mitur atij duhet ofruar edukim, ndihmë psikologjike, e sipas nevojës edhe ndihmë mjekësore për të lehtësuar rehabilitimin e tij.Gjatë marrjes në pyetje duhet të respektohet plotësisht dinjiteti i të pandehurit. [20]

Po ashtu Arresti i përkohshëm, ndalimi në polici dhe paraburgimi i të miturit urdhërohet vetëm si masë e fundit për një kohë sa më të shkurtër të mundshme.[21]

 

Policia mund të arrestojë dhe të ndalojë të miturin në pajtim me aktet ligjore ne vended he duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale.

Por arresti i përkohshëm apo ndalimi i të miturit nuk mund të kalojë periudhën 24 orëshe. Pas kalimit të kësaj periudhe, policia e liron të miturin, përveç nëse gjyqtari për të mitur urdhëron paraburgim.[22]

 

Në rrethana të jashtëzakonshme  në mënyr përjashtuese, gjyqtari për të mitur mund të urdhërojë paraburgimin ndaj të miturit nëse ekzistojnë arsyet e të fuqishme dhe të bazuara në kodin e procedurës penal të Kosovës dhe nëse alternativat e paraburgimit nuk do të ishin të mjaftueshme për të siguruar praninë e të miturit, për të parandaluar kryerjen e sërishme të veprës dhe për të siguruar zbatim të suksesshëm të procedurës.

I mituri mund të mbahet në paraburgim me aktvendim fillestar për një periudhë maksimale prej një muaji nga dita kur ai është arrestuar. Paraburgimi i të miturit mund të vazhdohet vetëm nga kolegji për të mitur i gjykatës kompetente për një periudhë shtesë deri në dy muaj.

Kolegji për të mitur i gjykatës kompetente e rishqyrton aktvendimin për paraburgim brenda një muaji nga marrja e aktvendimit. Shqyrtimi i tillë bëhet në praninë e të miturit, mbrojtësit të tij dhe prokurorit publik. [23]

Duke analizuar dispozitat ligjor të ligjit penal për të mitur në Kosovë, vërejm qartë se ka  një harmonizim të ligjit më konventat ndërkombëtare e cila shkon drejt humanizimit dhe drejt respektimit të dinjitetit te të miturëve.

Por a thua, mjafton kjo, sigurisht që jo, praktika na mëson se kemi raste të caktuara ku të miturit derisa janë në procese hetuese apo edhe në vuajtje të dënimeve, të drejtat e tyre shkelen në mënyrë drastike. Pikërisht inspektorët policor do të duhej të kenë pikë fokusi hetimin e rasteve kur sheklen të drejtat e të miturëve në stacionet policore. Sepse të miturit janë një kategori e ndieshme dhe të cilët ende nuk janë në gjendje që të kenë njohuri për të drejtat e tyre si dhe obligimet e tyre po ashtu.

Andaj është obligim ligjor dhe moral i institucioneve të cilat janë kompetente për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e të miturëve  në të gjitha procedet që gjenden ata.

10. Autorizimet e policisë për kontrollim të personit dhe lokaleve

Policia mund të kryejë një kontroll të përkohshëm sigurimi ndaj personit për të kontrolluar për armë ose për sende të tjera të rrezikshme vetëm nëse ekziston rreziku se një person është i armatosur ose ka send të rrezikshëm i cili mund të përdoret për sulm apo vetëplagosje. Kontrolli i përkohshëm për siguri kryhet nga polici i gjinisë së njëjtë me personin që kontrollohet, përveç rasteve kur për shkak të rrethanave të veçanta kjo është plotësisht e pamundur. Kontrolli intim i personit mund të bëhet vetëm me ndihmën e mjekut apo infermierit.[24]

Është me rëndësi të potencohet se Kontrolli i përkohshëm për siguri kryhet nga polici i gjinisë së njëjtë me personin që kontrollohet, përveç rasteve kur për shkak të rrethanave të veçanta kjo është plotësisht e pamundur. Në këto raste  duhet  që personi që bënë kontrollin të jetë tejet professional dhe t’ju përmbahet procedurave mbi kontrollin në mënyr objektive.

Kur gjatë zbatimit të kontrollit të përkohshëm për siguri polici gjen sende që mund të përdoren si provë në procedurë penale, ai duhe të veprojë në pajtim me dispozitat që e rregullojnë kontrollin e personit sipas këtij kodi.[25]

Kontrollimi është një veprim kriminalistik operativ i cili ndërmirret me qëllim të sigurimit të dhënave material apo  provave për të filluar procedurën penale si dhe për zhvillimin e sukseshëm të sajë dhe zënien ë kryersve te veprave penale.

Policia vetëm me urdhër me shkrim nga gjyqtari mund të kryejë kontrollimin e banesës, përveç rasteve të jashtëzakonshme kur ekziston rrezik i cili mund të rezultojë me humbjen e provave, ose rrezik ndaj jetës ose shëndetit të njerëzve, sepse në të kundërtën kryhet vepra penale e “pacenueshmërisë së banesës”. Kjo parashihet në kodin e procedurës penal dhe npo ashtu vepra në fajlaë parashihet në kodin penal të Kosovës

Policia kontrollin mund ta ekzekutojë brenda orës 06:00 të mëngjesit dhe 22:00 të mbrëmjes, duke përjashtuar rastet kur kontrolli ka filluar para orës 22:00 dhe nuk ka përfunduar në këtë kohë, apo nëse gjyqtari i procedurës paraprake çmon se vonesa do të mund të çonte në arratisjen e personit të kërkuar, në asgjësimin e gjurmëve ose provave të veprës penale. [26]

Gjatë kontrollit të banesës policia duhet të shmanget nga dëmtimet e panevojshme. Hapja e mobileve apo sendeve mund të bëhet me përdorimin e forcës vetëm nëse nuk është i pranishëm pronari apo kur ai refuzon hapjen e tyre.

Vetëm kur bëhet kontrolli i banesës a i personave ose kur veprimi kryhet jashtë lokalit zyrtar të organit publik apo të autoritetit kompetent, e procesmbajtësi nuk mund të sigurohet, procesverbalin mund ta shkruajë personi i cili e kryen veprimin.[27]

Gjatë kontrollit mund të merren vetëm ato sende që mund të konfiskohen sipas KPPK-së dhe sendet që janë dëshmi për ndonjë vepër tjetër penale. Nëse kontrollimi është bërë pa autorizim atëherë të gjitha provat e mbledhura janë të papranueshme, dhe si të tilla nuk guxojnë të merren parasysh në procedur penale dhe nuk mundet që vendimi i gjykatës të mbështetet në to.

11. Mbajtja e procesverbalit

Policia është e detyruar që për çdo veprim të saj të ndërmarr lidhur me personin e arrestuar të mbajë procesverbal në të cilën duhet të përfshihen të gjitha të dhënat personale të personit të arrestuar, veprën penale për të cilën është arrestuar, vendimin e ndalimit, identitetin e oficerit policor dhe të prokurorit publik, informimin për të drejtat e tij, lëndimet e dukshme që shtrojnë nevojën për trajtim mjekësor dhe informacionin mbi kontrollin e përkohshëm të sigurisë së personit dhe përshkrimin e sendeve të marra nga personi në kohën e arrestimit ose gjatë ndalimit.

Për çdo veprim të kryer gjatë procedurës penale shkruhet procesverbal në të njëjtën kohë kur ushtrohet veprimi, e kur kjo nuk është e mundur, atëherë shkruhet menjëherë pas kësaj.[28]

Procesverbalet duhet të nënshkruhen nga zyra përkatëse e policisë dhe nga personi i arrestuar. Kur personi i arrestuar refuzon nënshkrimin e procesverbalit, autoritetet policore duhet të shënojnë refuzimin e tillë dhe duhet t’ia bashkëngjisin shpjegimin ose komentet eventuale me shkrim ose me gojë të personit të arrestuar. Procesverbalet policia duhet t’ia vë në dispozicion personit të arrestuar dhe mbrojtësit të tij me kërkesën e tyre, në gjuhë të kuptueshme për të arrestuarin. Kjo qështje është në mënyr specifike e përcaktuar me kodin penal të Kosovës por edhe me ligjin mbi policinë dhe parimet dhe procedurat e policisë, në bazë të cilave ato veprojnë

Kur procesverbalin e shkruan procesmbajtësi, atij i tregon gojarisht personi i cili kryen veprimin se çka duhet shënuar në procesverbal.[29]

Në disa raste  Personit që merret në pyetje i lejohet që personalisht t’i jep përgjigjet në procesverbal, por ëë rast të shpërdorimit kjo e drejtë mund t’i mohohet. Procesverbali është një dokumentë shumë me rndësi në peocedurën penale sepse të gjitha veprimet të cilat kryehn shenohen  në të, Duke pasur parasysh se është e pamundur të mbahen tëgjitha thnjet në mend, atehëre pikrisht një prej formave për regjistrimin e të dhënave dhe shendriimin e tyre ne prova apo dëshmi është edhe procesverbali.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Përfundimet

  • Kodi aktual i procedurës penale të Kosovës ka paraparë dispozitat ligjore për autorizimet e policisë, por besojm dhe shpresojmë se me ndryshimet të cilat po ndodhin  në kodin e procedurës do të mbulohen zbarstirat eventuale ne autorizimet e policisë në kryrjen e detyrave të tyre policore.
  • Inkurajojmë isntitucionet përkatëse përkatësishtë policinë e Kosovës, që ti kushtoj kujdes më të theksuar trajnimit të stafit të tyre në fushën e implementimit të kodit të procedurës penale dhe ligjit penal për te mitur, me qëllim të plotësimit të zbrastirave eventuale tek zyrtarët përkatës, me qëllim të zabtimit të tyre në mënyrë sa më profesionale.
  • Menaxhmenti policor do duhej të aplikon një strategji të atillë që policët të cilët kan trajnime specifike në respektimin e të drejtave të njeriut të jenë prioritet me rastin e caktimit të tyre në pozitat mbikqyrëse të zyratrëve tjerë në aplikimin e përvojave të tyre në praktikën policore.
  • Po ashtu inspektorët policor, që merren me hetimin të ankesave për shkelje të rënda diciplinore ndaj zyrtarëve policor do të duhej të ndjekin trajnime dhe mësime më të specializuara me qëllim, që hetimet e tyre të jenë në përpuhje me ligjet dhe aktet ndërkombëtare te zbatueshme në vendin tonë.
  •  Sensibilizimi dhe inkurajimi i organizatave dhe institucioneve relevante që merren me trajnime në fushën e ligjeve dhe dhe në fushen e trajnimeve për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut që të kenë fokus apo target grup tyë tyre policët dhe inspektorët policor.
  • Për ta arritur kjo lypset një angazhim shumë i madh dhe i gjithanshëm si në aspektin profesional ashtu edhe në aspektin tekniko-logjistik, dhe kjo është arsyeja kryesore që të kemi policë të shkolluar dhe trajnuar në mënyrë shumë profesionale, dhe që njohurit e marruara ti zbatojnë në praktik gjatë kryerjes së detyrave të tyre.
  • Në mënyr të detajuar kemi përmendur te gjitha obligimet të cilat i kanë zyrtarët policor të Kosovës gjate kryerjes së detyrave të tyre që të munden të konsiderohen si polici demokratike dhe ligjore e cila doemos duhet të zbatoj kodin e etikës policore evropiane.
  • Mënyra e mbarështrimit të kësaj teme e ka pa mundësuar trajtimin e të gjitha autorizimeve dhe detyrave të policisë, por neve kemi përmednur vetëm disa nga autorizimet e tyre të cilët janë shumë të rëndësishëm.

 

 

 

 


* Autori është Asistent pranë Katedrës Penale në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, si dhe është duke punuar ne punimin e doktoratës me titull “Krimi i organizuar, karakteristikat dhe format e paraqitjes së tij në Kosovë gjatë periudhës 2006-2010” pranë Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.

[1] Kodi i Procedurës Penale të Kosovës, Prishtinë, 06 prill 2004, neni 201.

[2] Po aty.

[3] Kodi i Procedurës Penale të Kosovës, Prishtinë, 06 prill 2004, neni 205, paragrafi 4.

[4] Dr.sc. Ismet Salihu, E drejta Penale- Pjesa e posaçme, Prishtinë, 2009, faqe 468.

[5] Kodi i Procedurës Penale të Kosovës, Prishtinë, 06 prill 2004, neni 205, paragrafi 5.

[6] Po aty, neni 205, paragrafi 4.

[7] Po aty, neni 153, paragrafi 1.

[8] Dr. Vesel Latifi, Politika Kriminale, Prishtinë, 2008, faqe 116.

[9] Kodi i Procedurës Penale të Kosovës, Prishtinë, 06 prill 2004, neni 202, paragrafi 1.

[10] Dr.sc. Vesel Latifi, Kriminalsitika, Prishtinë, 2009, faqe 55.

[11] Kodi i Procedurës Penale të Kosovës, Prishtinë, 06 prill 2004, neni 168, paragrafi 4.

[12] Broshurë mbi të drejtat e njeriut për Policinë nga OSBE-ja, “Të drejtat e njeriut dhe zbatuesit e  ligjit”, Prishtinë 2005, faqe 34.

[13] Kodi i Procedurës Penale të Kosovës, Prishtinë, 06 prill 2004, neni 205, paragrafi 3.

[14] Mr.sc. Xhevdet Halili, Roli, Organizimi dhe Kontrolli i Policisë së Kosovës, Prishtinë, E Drejta, Nr. 1/2010, faqe 99.

[15] Kodi i Procedurës Penale të Kosovës, Prishtinë, 06 prill 2004, neni 210, paragrafi 1.

[16] Po aty.

[17] Po aty, neni 211.

[18] Po aty neni 214, paragrafi 1, pika 1,2,3,4.5.6 dhe paragrafi 2.

[19] Broshurë mbi të drejtat e njeriut për Policinë nga OSBE-ja, “Të drejtat e njeriut dhe zbatuesit e ligjit”, Prishtinë 2005, faqe 79.

[20] Ligji penal për të Mitur i Kosovës, Prishtinë, 20 prill 2004, Neni 1. Pargrafi 3.

[21] Po aty, neni 62, pargrafi 1.

[22] Po aty neni 63, pargarfi 2.

[23] Po aty neni 64, pargarafi 1.

[24] Kodi i Procedurës Penale të Kosovës, Prishtinë, 06 prill 2004, neni 204, paragrafi 1 dhe 2.

[25] Po aty, neni 204, pargarfi 4

[26] Dr.sc. Vesel Latifi, Kriminalsitika, Prishtinë, 2009. Faqe 67.

[27] Kodi i Procedurës Penale të Kosovës, Prishtinë, 06 prill 2004, neni 86, paragrafi 2.

[28]Po aty, paragrafi 1.

[29] Po aty, paragrafi 3.

About these ads

Diskutim

Ende pa komente.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: