//
po lexoni...
1, Publikime

ROLI, ORGANIZIMI DHE KONTROLLI I POLICISË SË KOSOVËS

ROLI, ORGANIZIMI DHE KONTROLLI I POLICISË SË KOSOVËS
Mr. Xhevdet HALILI,Phd.Cand.
Asistent i Katedrës Penale

Vështrime hyrëse

Roli dhe forma e organizimit të policisë në të gjitha shtetet është me rëndësi shumë të  madhe për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe për luftimin dhe parandalimin e kriminalitetit. Në kuadër të këtij punimi studimor shtjellohet organizimi dhe roli i policisë në disa shtete, organizimi dhe roli i policisë në Kosovë si dhe institucionet e kontrollit policor në Kosovë. Po ashtu janë shtjelluar edhe format e organizimit të policisë në disa shtete të botës, historiku i policisë në Kosovë nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 e deri te ndërhyrja e trupave të KFOR-it, në Kosovë më 12 qershor 1999, mandej trajtohet krijimi i Shërbimit Policor të Kosovës, detyrat e policisë së republikës së Kosovës dhe në fund të këtij punimi trajtohen institucionet e kontrollit si komisioni parlamentare për siguri si mekanizëm i kontrollës parlamentare ndaj segmenteve të sigurisë në përgjithësi dhe me theks të veçantë i policisë së Kosovës dhe historiku i Inspektoratit Policor të Kosovës, detyrat e tyre dhe autorizimet e inspektorëve policor dhe fushat të cilat inspektohen nga inspektorët.

Arsyeja e përcaktimit për trajtim të kësaj teme bazohet në atë se publikime shkencore për policinë si një segment me rëndësi për luftimin e kriminalitetit nuk ka mjaftueshëm në Kosovë, si dhe duke pasur parasysh natyrën e punës të cilën e kryejnë pjesëtarët e policisë, iu ekspozohen për çdo ditë rreziqeve të natyrave të ndryshme dhe kryerjes së punëve me natyrë mjaft sensitive por me rëndësi të madhe për funksionimin e një shteti më motivoi shumë që ti qasem kësaj fushe për trajtim  më  të thellë.
Përfundimet e këtij studimi përmbajnë konstatimet kryesore mbi organizimet dhe rolin e policive në disa shtete dhe theks të veçante në Kosovës si dhe përfundimet në lidhje me mekanizmat e kontrollit të policisë në Kosovë.
I. Roli, organizimi dhe format e policisë në disa shtete dhe në Kosovë
Nocioni dhe roli i policisë në shoqëri

Zhvillimi dhe zanafilla e nocionit të policisë dhe format organizative të sajë janë të kushtëzuara me zhvillimin e shoqërisë njerëzore dhe rrënjët e saja i gjejmë para ekzistimit të shtetit, pra edhe në bashkësitë e thjeshta.[1]  Policia është organ shtetëror që kujdeset për mbrojtjen e shoqërisë nga kriminaliteti, për mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe për sigurimin e rendit të caktuar shtetëror. Policia është organ tradicional i njohur për mbrojtjen e rendit shoqëror në të gjitha fazat e historisë shoqërore, dhe në të gjitha vendet në botë.[2] Kur flitet për policin si nocion gjithnjë mendohet se ky emërtim është i njëjtë në të gjitha shtetet, me pak dallime të vogla nga njëri shtet në shtetin tjetër. Nëse e shikojmë nga aspekti etimologjik, fjala polici rrjedh nga (anglisht, police; gjermanisht, polizei; frëngjisht, police) fjala greke polis, politea: nënkuptonte administrimin e qytetit, shtetit, kushtetutës.< Mirëpo autori anglez Frank Harris potencon se nuk mungojnë parimet dhe treguesit e ndryshëm në mijëra organizata policore anë e kënd botës të cilat e përshkruajnë veten si polici, por nuk ekziston një konsensus universal lidhur me natyrën e policisë. Në vitin 2001, Këshilli i Evropës ka nxjerr Kodin Evropian të Etikës Policore (KEEP-ja), si përgjigjeje mbi nevojat për formimin e parimeve dhe udhërrëfyesve për objektivat, paraqitjen dhe përgjegjësitë për një polici, që do të kujdeset për sigurinë dhe të drejtat individuale në shoqëritë demokratike të qeverisura nga sundimi i ligjit.[4]

Roli dhe qëllimi kryesore i policisë në një shoqëri demokratike të udhëhequr nga forca e ligjit është: të ruajë qetësinë publike dhe rendin në shoqëri; të mbrojë dhe respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të sanksionuara, veçanërisht, në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut; të parandalojë dhe luftojë krimin; të zbulojë krimin; të kryej funksione të ndihmës dhe shërbimeve për publikun.[5] Roli dhe operacionet e policisë duhet të zhvillohen gjithnjë në përputhje me legjislacionin vendas dhe standardet ndërkombëtare të pranuara nga vendi përkatës. Gjithashtu legjislacioni i policisë duhet të jetë në dispozicion për publikun, i qartë dhe i saktë në nivelin e duhur, si dhe, po të jetë e nevojshme, i mbështetur me rregulla të kuptueshme, të cilat duhet të jenë gjithashtu në dispozicion për publikun. Personeli policor i nënshtrohet të njëjtit legjislacion si qytetarët e thjesht dhe përjashtim janë vetëm rastet e justifikuara me arsye të punës policore në një shoqëri demokratike. Policia është e organizuar në mënyrë të tillë që të gëzojë respektin e publikut si një strukturë profesioniste për mbrojtjen e

ligjit dhe sigurimin e shërbimeve për publikun. Policia dhe personeli i saj i veshur me uniform normalisht duhet të jenë lehtësisht të dallueshëm. Personeli policor në të gjitha nivelet është personalisht përgjegjës dhe i përgjegjshëm për veprimet ose mosveprimet e veta ose për urdhëratë e dhënë vartësve të tyre. Organizimi i policisë duhet të bëhet sipas një sistemi të qartë të komandimit brenda policisë, duhet të jetë gjithnjë e mundshme të konkludohet se tek cili epror qëndron përgjegjësia për veprimet ose mosveprimet e personelit të policisë. Policia duhet të gëzojë pavarësi të mjaftueshme nga organet e tjera shtetërore në kryerjen e detyrave të saj specifike policore, për të cilat mban përgjegjësi të plotë.[6] Policia duhet të jetë organizuar në mënyrë të tillë që të vendosë marrëdhënie të mira midis saj dhe publikut si dhe, sa herë nevojitet, një bashkëpunim të efektshëm me agjenci të tjera, komunitetet lokale, organizatat jo-qeveritare, dhe grupe të tjera përfaqësuese të publikut, duke përfshirë grupe të pakicave kombëtare. Strukturat e policisë duhet të jenë të gatshme t’i japin publikut informacion objektiv për aktivitetet e saj, pa zbuluar informacion konfidencial. Policia në shumë shtete është institucion publik-civil dhe i organizuar në bazë të ligjit. Pra policia është institucion i administratës publike, i inkuadruar pranë strukturave të pushtetit ekzekutiv. Policia iu shërben qytetarëve duke mbrojtur lirit dhe të drejtat e njeriut, rendin publik, sigurinë e vendit dhe vlerat e tjera. Policia i ekzekuton edhe vendimet e gjykatave. Policia paraqet organet të cilat kujdesen për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë qytetare.

2. Organizimi policore shtetërore dhe ndërshtetërorePolicit në të gjitha vendet e botës për të qenë sa ma efikase në luftën kundër kriminalitetit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti organizohen, bashkëpunojnë dhe ndërtojnë mekanizma të përbashkët për të luftuar sa më mirë dhe në mënyrë më efikase kriminalitetin. Varësisht nga rrethanat nëpër të cilat kanë kaluar shtetet edhe sistemet policore të tyre nuk kanë qenë imune ndaj ndikimeve të cilat janë shfaqur në ndërtimin e policive të tyre në aspektin e ndërtimit të sistemeve policore të brendshme, duke ndikua në ndërtimin e sistemeve policore liberale apo më pak liberale.

 

2.1. Organizimet e institucionit të policisë në disa shtete

 

Në vijim do të elaborojm disa nga organizimet e policive të shteteve ballkanike duke u nxjerr në pah pikat e përbashkëta dhe ato ndarëse ndërmjet këtyre sistemeve policore shikojmë në vazhdim:

<Policia e Shqipërisë është institucion i administratës shtetërore, e cila ka për mision të mbrojë rendin dhe sigurinë publike, si dhe të garantoj zbatimin e ligjit.[7] Policia e shtetit të

Shqipërisë sipas ligjit është institucion i administratës publike, strukturë e Ministrisë së Brendshme Për të realizuar detyrat dhe përgjegjësit e përcaktuara në bazë të ligjit, policisë iu janë dhënë kompetencat për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike si dhe në hetimin dhe zbulimin e veprave penale. Policia në Shqipëri është njëra nga institucionet kyçe që merret me ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe hetimin e veprave penale dhe të kryesve të sajë.

            Policia e Sllovenisë është e organizuar në katër nivele. Niveli i parë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, pastaj Drejtorati i Përgjithshëm Policor, pasojnë Drejtoratet Regjionale dhe Stacionet Policore. Policia Sllovene është e themeluar me qëllim të ruajtjes së sistemit politik, demokratik, juridik e kushtetues shtetëror dhe për të mbrojtur lirit dhe të drejtat themelore të njeriut.[9] Mbi bazën e kësaj ndarje në katër nivele të funksionimit të policisë sllovene vërehet qartë se sistemi policor në këtë shtete është i decentralizuar dhe i bartur në nivele më të ultë.

Policia e Kroacisë është shërbim policor publik i Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila i ushtron punët policore të përcaktuara me ligj. Format themelore organizative janë dy: Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtorati i policisë, për të kryer detyrat me efikasitet formohen edhe drejtoratet e policisë regjionale dhe stacionet policore.[10] Për policinë përdoren emërtime të ndryshme si institucion, por rëndësia dhe funksionet janë të njëjta apo të ngjashme në të gjitha vendet e botës.

Policia e Hungarisë është pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por karakteristik e këtij shteti është se zbatimi i ligjit ndahet ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Financave, në të paren bëjnë pjesë shërbim i policor dhe policia kufitare, ndërsa në Ministrin e Financave është i vendosur shërbimi doganor dhe shërbimi tatimor. Puna e policisë në Hungari është e organizuar në tri nivele: Niveli shtetëror (shtabi), nivelet regjionale dhe nivelet lokale të funksionimit të policisë.[11]

Policia e Kosovës organizohet në nivel qendror dhe lokal. Drejtoria e përgjithshme e policisë është nivel qendror përgjegjës për tërë Republikën e Kosovës. Niveli lokal përfshin Drejtorit Rajonale të policisë përgjegjës për rajonet e përbëra nga komunat e caktuara, stacionet policore që janë përgjegjëse për policinë lokale në secilin komunë dhe nënstacionet policore të cilat janë përgjegjëse për policinë lokale brenda zonave të caktuara të një komune.[12] Duke analizuar ligjin për policinë e Republikës së Kosovës shihet qartë se ka dy nivele të funksionimit të policisë, niveli qendror dhe regjional, ku në kuadër të regjioneve bëjnë pjesë stacionet policore dhe nënstacionet policore të policisë së Kosovës. Varësisht prej sistemit juridik dhe të organizimit shtetëror  kemi edhe format e  organizimi policor.

Mirëpo pas Luftës së Dytë Botërore shihej qartë se çështjet e dinamizmit të jetës në përgjithësi, si dhe automatizimi i teknikës e teknologjisë, do të zhvillohet edhe më shumë në të ardhmen, pa dyshim ka shtruar nevojën e organizimeve të ndryshme në asociacione ndërmjet

shteteve regjionale dhe mbarë botërore siç janë: Europoli, Interpoli, me qëllim të luftimit të kriminalitetit transnacional sa ma lehtë që është e mundur.

 

 

 

2.2. Organizimet policore ndërshtetërore

Shtetet nëpërmjet institucioneve të tyre policore dhe institucioneve tjera që merren me çështjen e sigurisë organizohen dhe koordinohet ndërmjet vete, si dhe ndihmojnë njëra tjetrën në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore si dhe kontrabandimit të gjësendeve me vlera të larta materiale. Ky koordinim bëhet nga ana e këtyre organizmave te cilët janë ndërtuar enkas për këtë çështje si Europoli dhe Interpoli, në vijim do ti elaborojm më gjerë:

                                          

Europoli

 

Europoli është polici zyrtare e Evropës, e cila është e paraparë edhe me kontratën e Bashkimit Evropian (BE-së), themelimi i këtij forumi policor u bë në vitin 1995 deri më 1999  dhe selia e tij gjendet në Hagë të Holandës. Përmes Europolit shtetet anëtare të BE-së synojnë që zyrat kundër krimit të përmirësojnë dhe të nxisin bashkëpunimin për mbrojtje dhe luftim të terrorizmit, të tregtisë me drogë ilegale dhe luftimin e formave të rënda të kriminalitetit ndërnacional.[13] Europoli ndryshe njihet edhe si polici Evropiane e cila ka për qëllim luftimin e kriminalitetit në shtetet e Evropës, si dhe ka për qëllim parandalimin e krimeve dhe zbulimin e kryesve. Pra me fjalë të tjera merret me luftimin e kriminalitetit duke ndihmuar në dhënien e informacioneve të cilat do të ishin të dobishme në luftë kundër krimit

 

Interpoli

 

  Interpoli është organizata më e madhe ndërkombëtare e policisë dhe më e rëndësishmja, ideja për themelimin e kësaj organizate për herë të parë u paraqit nga Shoqata Ndërkombëtare për të Drejtën Penale, në Hamburg të Gjermanisë më 1905. Në Kuvendin e përgjithshëm të komisionit për bashkëpunim policor ndërkombëtar në vitin 1956 u aprovua statuti i ri, dhe u akceptua emërtimi i ri Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminalistike – INTERPOL, selia e së cilës gjendet në Paris.[14] Nëpërmjet këtyre asociacioneve është mundësuar luftimi më efikas i kriminalitetit përmes bashkëpunimeve ndërmjet shteteve, me qëllim të shkëmbimit të informatave dhe ofrimit të ndihmës reciproke ndërmjet shteteve, për të lehtësuar hetimin dhe kapjen e kryerësve të veprave penale, pa marrë parasysh vendin ku gjenden apo ku kanë kryer veprën penale kryesit.

 

3.  Format e organizimit të policisë në disa shtete

 

Në librin e autorit “Bogoljub Milosavljeviç, Nauka o policiju” përmenden këto forma të organizimeve policore dhe në shkencë e cila i studion çështjet nga lëmi i policisë:

  • Sistemi i Centralizuar i cili aplikohet në Itali dhe Rusi;
  • Sistemi i Decentralizuar dhe i Koordinuar i cili aplikohet në  Britaninë e Madhe, Holandë, Kanada, Gjermanin, Indinë etj;
  • Sistemi Unik i Koordinuar i cili aplikohet në  Francë, Finlandë etj;
  • Sistemi i Decentralizuar i Thjeshtë i cili aplikohet në Zvicër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Belgjikë;
  • Sistemi Unik i Centralizuar i cili aplikohet në Slloveni, Irlandë, Maqedoni, Estoni, Letoni, Shqipëri, Kroaci etj.

Në bazë të strukturës organizative, dhe ndarjes së detyrave dhe përgjegjësive për pjesëtarët e policisë, sipas parimeve dhe procedurave në bazë të cilave vepron policia. Sa i përket formës së funksionimit të policisë së Kosovës, konsideroj se policia e Kosovës si organizatë policore më shumë shkon nga sistemi unik i centralizuar, i cili aplikohet dhe në shtetet fqinje si Shqipëria, Maqedonia dhe Sllovenia.

 

4.  Historiku i policisë në Kosovë

 

Historiku i policisë në Kosovë, do të trajtohet prej periudhës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntori 1912, kur territori i Kosovës mbeti jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë. Vendi ynë mbeti nën sundimin serbë për një periudhë të gjatë prej 28 nëntor 1912, e deri më 12 qershor 1999, kur forcat e Organizata e Aleancës Veri Atlantik (NATO), duke bombarduar nga ajri, për shtatëdhjetë e tetë ditë rresht e detyruan Serbin që të nënshkruaj tërheqjen e ushtrisë serbe, nga Kosova. Pranuan kapitullimin dhe hyrjen e forcave të NATO-së, që do të quheshin “Kosovo Force” ( KFOR).

Gjithashtu Kosova pas luftës së dytë botërore kundër vullnetit të popullit shumicë, u aneksua nga ish-republika federative popullore e Jugosllavisë. Sipas kushtetutës së asaj kohe, të vitit 1946, Kosova ishte e definuar si njësi autonome territoriale-administrative brenda Serbisë, e quajtur “Qarku Autonom i Kosovës”. Kosova nuk e kishte statusin e krahinës, të cilën e kishte Vojvodina në atë kohë.[15] Kosova ishte në pozitë shumë të pa volitshme dhe ishte e diskriminuar në të gjitha aspektet. Në disa periudha kohore, pas viteve 1974, pozita e shqiptarëve në Kosovë

fillon të përmirësohet në polici, për të filluar që të keqësohej, me suprimimin e autonomisë së Kosovës në muajin mars 1989.[16]

Gjatë periudhës kur, Kosova ishte nën sundimin serbë, punët e policisë në Kosovë, më shumë janë ushtruar në formë të dhunës, nënshtrimit, represionit, fyerjes, dhe arrestimeve pa ndonjë bazë ligjore. Brenda kësaj periudhe të errët kishte oscilime të intensitetit të ushtrimit të dhunës. Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, në muajin mars 1989, filluan burgosjet me aktakuza të montuara deri te vrasjet pa gjyq. Të gjitha këto i bënin me qëllim që te shqiptarët shumicë, të mbjellin ndjenjën e pasigurisë dhe frikës, ti detyronin të lëshonin trojet dhe të mërgonin në ndonjë vend fqinjë, apo në shtetet e Evropës perëndimore. Si rezultat i kësaj gjendje, në mënyrë brutale shkeleshin lirit dhe të drejtat e njeriut dhe bëhej një diskriminim i madh ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Një hap i parë i cili mundet të konsiderohej si një dritë në fund të tunelit, në atë kohë drejt përmirësimit të pozitës së popullatës shqiptare, sa i përket përfaqësimit në strukturat e policisë së

asaj kohe. Hapja e shkollës së policisë në Vushtrri në vitin 1971. Ky ishte një hap i madh drejtë hapave të tjerë, për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në polici. Pozitë pak më e avancuar në historinë e policisë, ishte periudha pas vitit 1970, e deri në vitin 1989 përfaqësimi i shqiptarëve në polici ishte më i mirë. Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës struktura nacionale e policisë filloi të ndryshohej në mënyrë drastike në favor të nacionalitetit serbë në Kosovë.

Suprimimi i autonomisë së Kosovës në muajin mars të vitit 1989, dhe masat e dhunshme që i zbatoj regjimi i Millosheviçit, detyruan shumicën e policëve shqiptarë të braktisin punën. Përveç një numër, shumë i vogël që vazhduan të punojnë për pushtetin e atëhershëm dhe kundër popullit të vet, të cilët quheshin kolaboracionist “bashkëpunëtor”. Kjo ndikoi që tani, strukturat policore të pushtuesit ishin, edhe më të lira që të veprojnë kundër popullatës shumicë, dhe të kryejnë torturime, burgosje, rrahje dhe vrasje ndaj shqiptarëve të Kosovës.

5. Krijimi i shërbimit policor të Kosovës

 

Pas ndërhyrjes së trupave të NATO-s, me 24 mars 1999 me anë të sulmeve ajrore, dhe futjes së trupave të KFOR-it, në Kosovë me 12 qershor 1999, vendi ynë ishte në një situatë të jashtëzakonshme. Për rendin dhe qetësin u kujdes KFOR-i, derisa u vendos Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK-u), e në kuadër të saj edhe policia e UNMIK-ut. Ruajtja e rendit dhe qetësisë ishte një sfidë, e cila nuk ishte edhe aq e lehtë, ngase Kosova ishte mbet në gjendje kaotike, të lënë pas luftës së ashpër, të zhvilluar ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, forcave të NATO-s nga njëra anë, dhe forcave serbe nga ana tjetër. Në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit ndërmjet udhëheqësve të ushtrisë serbe, dhe gjeneralit Anglez Xhekson me bashkëpunëtorët e tij, i cili pritej se do ti udhëhiqte forcat e KFOR-it në Kosovës. Ishte paraparë edhe ngritja e një administrate ndërkombëtare me qëllim qe të merret me administrimin

e Kosovës, e në kuadër të saj parashihej edhe formimi i policisë së UNMIK-ut. Policia e UNMIK-ut, do të kujdeset për sigurinë dhe rendin në Kosovë, derisa të formohet, trajnohet dhe të barteshin kompetencat te Policia e Kosovës, që u emërtua si Shërbimi Policor i Kosovës, të cilën punë të rëndë e mori përsipër për ta bërë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE-ja).

Pranimi i parë i kadetëve për polic të ShPK-së, u bë me 6 shtator 1999, kjo ishte gjenerata e parë e ShPK-së, e cila diplomoi më 16 tetor 1999, në numër prej 176 kadetëve, të cilët zhvilluan trajnimet në Shkollën Shërbimit Policore të Kosovës (ShShPK) në Vushtrri.[17] Do të vazhdohet me pranimin e gjeneratave të tjera për polic. Pas përfundimit të trajnimit me sukses në ShShPK-në, pjesëtarët e këtij shërbimi vazhdojnë me programin e trajnimit fushor në stacionet policore, me trajner të certifikuar.[18] ShPK-ja në muajin tetor 2006 kishte shtatë mijë e njëqind e tetëdhjetë e pesë zyrtar policor, të cilët janë të trajnuar mirë dhe të aftë profesionalisht kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të ligjshme.[19] ShPK-ja në kuadër të saj numëron rreth 8907 punonjës, ndërkaq janë trajnuar gjithsej tridhjetë e pesë gjenerata. Prej tyre 7174 zyrtar policor, rreth 577 oficer të sigurimit, pjesëtarë të divizionit të sigurimit, dhe mbi 1156 staf civil në pozita mbështetëse dhe administrative.[20] Kosova për herë të parë në historinë e vetë, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar krijoi policinë në përputhje me strukturën nacionale të popullsisë në Kosovë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB), juridikisht është themeluar më 20 dhjetor 2005, me Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2005/53, fillimisht e cilësuar si “transferim i hershëm i kompetencave”, e më vonë bëhet edhe bartja e kompetencave e quajtur “transferimi i vonshëm i kompetencave” apo faza e dytë e cila u bë me anë të Rregullores së UNMIK-ut, Nr. 2006/26 të datës 27 prill 2006. Rëndësia e sajë është, se paraqet bartjen e kompetencave te ShPK-ja, dhe se e ka shuar shtyllën I për Polici dhe Drejtësi. Ka mbetur vetëm një zyre e ashtuquajtur “Zyra për Politika të Sundimit të Ligjit”.[21] SHPK-ja është  pjesë e strukturës së MPB-së, së Kosovës.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008, për të cilin akt kishin luftuar dhe vepruar gjenerata të tëra në Kosovë, tani më u krijuan rrethana  të reja  për krijimin e institucioneve të republikës së Kosovës e  në kontekst të kësaj edhe krijimi i Policisë së Republikës së Kosovës. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës  u bë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare sipas planit të Ahtisarit, i cili plan është bazë edhe për nxjerrjen e Kushtetutës së Kosovës. Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 15 qershor 2008, hynë në fuqi edhe ligji për policinë në kuadër të ligjeve me rëndësi jetike për vendin tonë të cilat ligje ndryshe njihen edhe si ligjet e Pakos së Ahtisarit, për të cilat ligje është votuar në Kuvendin e

Republikës së Kosovës në procedurë të shpejt dhe pa ndonjë debat apo lexim nga ana e deputetëve të Kuvendit.

 

6. Krijimi i policisë së Republikës së Kosovës

Në Ligjin Nr. 03/L-035 Ligji për Policinë neni 4 pika 1,2,3 potencon se me anë të këtij ligji themelohet Policia e Republikës së Kosovës si shërbim publik në kuadër të fushëveprimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, policia është person juridik dhe policia do të veproj nëpërmjet zinxhirit të unifikuar komandues në tërë Republikën e Kosovës.[22] Policia e Kosovës do ta ketë për bazë të punës edhe kodin e sjelljes për policinë i njohur me emrin Kodi i Parimeve dhe Procedurave Policore Evropiane (KEEP).[23] Policia e Kosovës është organi më i rëndësishëm shtetërorë që kujdeset për mbrojtjen dhe sigurimin e rendit në Kosovë. Policët gjatë kryerjes së detyrave të tyre në kuadër të autorizimeve ligjore, kryejnë veprimtari me rëndësi në luftën kundër kriminalitetit duke aplikua masa me karakter preventiv, por edhe masa represive.

 Masat e karakterit preventiv, policia i aplikon atëherë kur mbikëqyrë dhe patrullon terrenin, kur kontrollon në rrugë, kur bënë këshillimin e qytetarëve, për tu mbrojtur nga kriminaliteti, për të respektuar rregullat e sjelljes në shoqëri, për të respektuar normat juridike të cilat aplikohen në vend dhe domosdo duhet të jenë në përputhje me aktet më të larta ndërkombëtare mbi respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Ndërsa masa të karakterit represiv zbatohen, kur gjendja e sigurisë cenohet dhe kur individët apo grupet e njerëzve, me sjelljet e tyre pengohen nga policia, për të mos cenuar, kufizuar apo shkelur të drejtat dhe lirit e njerëzve të tjerë.[24] Këto masa i aplikon edhe policia e Kosovës, në kryerjen punëve policore në vendin tonë. Është lënë pas dore botëkuptimi i kushtëzuar historik për masat represive të policisë. Nga shkaku i luftimit të suksesshëm të kriminalitetit, gjithnjë e më shumë praktikohet dhe zbatohet, preventiva si formë më e mirë e luftës së suksesshme kundër krimit.[25] Masat preventive të cilat i zbaton policia, kanë karakter të preventives gjenerale, dhe kanë për qëllim që të ndikojnë në parandalimin e kryerjes së veprave penale nga ana e qytetarëve.[26]  Në Ligjin Nr.03/L-035, parashihen edhe detyrat e pjesëtarëve të policisë së Kosovës.

7. Detyrat e policisë së Kosovës

                            

Detyrat e përgjithshme të policisë janë të parapara në ligjin Nr. 03/L-035, i cili zbatohet në Kosovë, në të cilën përcaktohen detyrat e tyre janë si në vijim:

a)      ta mbrojë jetën, sigurinë dhe pronën e të gjithë personave;

b)      t’i mbrojë të drejtat  dhe lirit themelore të të gjithë personave;

c)      ta parandaloj rrezikun  ndaj qytetarëve  dhe ta mbaj rendin dhe sigurinë publike;

d)      t’i parandaloj dhe t’i zbuloj veprat penale;

e)      t’i hetoj veprat penale;

f)        të ofroj mbikëqyrje dhe kontroll për sigurinë në komunikacion;

g)      të ofroj mbikëqyrje dhe kontroll të kufijve;

h)      të ofroj ndihmë gjatë fatkeqësive natyrore dhe në raste të tjera emergjente; dhe

i)         të kryejë detyrat të tjera të parapara me ligjin në fuqi.[27]

            Policia i heton veprat penale, sapo të njoftohet nëpërmjet kallëzimit penal apo në ndonjë mënyrë tjetër, për ndonjë vepër penale të dyshuar, e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, pa vonesë dhe jo më vonë se njëzet e katër orë, nga marrja e këtij informacioni e informon prokurorin publik dhe siguron raportet tjera dhe të dhëna plotësuese.[28]

Duhet theksuar se policia nuk është i vetmi organ shtetëror (publik) i cili e bënë luftimin e kriminalitetit, përveç policisë disa vepra penale të natyrave të ndryshme kanë për obligim ti zbulojnë edhe disa shërbime të posaçme siç janë: shërbimi doganor, inspektorët tatimor, shërbimet e rojtarëve si në lëmin e bujqësisë dhe pylltarisë.[29] Duhet potencuar se me kodin e procedurës penale të Kosovës, janë paraparë zgjidhje të reja ligjore në lidhje me autorizimit e policisë në aspektin e parandalimit dhe zbulimit të veprave penale si dhe në procedurën penale. Risi e veçantë me zgjidhjet e reja paraqet themelimi i policisë gjyqësore, kjo polici, me autorizime të prokurorit publik mundë të kryej disa veprime procedurale.[30] Çdo zyrtar policor  i ka edhe atributet e policisë gjyqësore, ne përputhje me kodin e procedurës penale dhe me ligjet tjera  thuhet në ligji për policinë në nenin 10 pika 2.

 

II. Kontrolli i Policisë së Kosovës

 

 

1. Institucionet e kontrollit të policisë

 

Rëndësia e kontrollit është në atë, se kontrolli parqet etapën e fundit në ciklin e udhëheqjes (planifikimi, organizimi, udhëheqja dhe kontrolli (mbikëqyrja)). Kontrolli ka rëndësinë dominonte, në këtë proces. Të Kontrolluarit do të thotë “Të konstatuarit se a janë operacionet punuese në çdo kohë duke u zhvilluar në bazë të planeve, të pranuara në bazë të urdhëresave të dhëna dhe parimeve të vendosura”.[31] Policia në çdo kohë duhet të veproj brenda kompetencave që i njeh ligji, dhe duhet ti nënshtrohet të njëjtit ligj që duhet të zbatoj dhe të mbrojë.[32] Sjellja e zyrtarëve policor kundrejt publikut mundë të shihet si një tregues  i shkallës së demokracisë në një vend. Disa nga tiparet kryesore të demokratizimit të policisë sipas Hans Bornit janë: a) shërbimet policore duhet të respektojnë sundimin e ligjit dhe të veprojnë në përputhje me kodin e etikës profesionale; b) transparenca dhe ekzistenca e mekanizmave të mbikëqyrjes dhe të kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm janë të nevojshme për të sigurua llogaridhënie nga ana e policisë; dhe c) demokratizimi i policisë është një proces që shkon nga poshtë lart, duke iu përgjigjur nevojave dhe shqetësimeve të qytetarëve.[33] Për të kontrolluar policinë e Kosovës duhet një punë e madhe. Kjo organizatë ka numër të madh të policëve dhe mundësia e kontrollit adekuat të sajë, është mjaft e vështirë, andaj janë krijuar institucione të cilat duhet ta përcjellin dhe të bëjnë kontrollimin, mbikëqyrjen dhe inspektimin e punës së policisë së Kosovës.

2. Format e kontrollit të policisë

Teoria bashkëkohore për policinë njeh dy forma të kontrollit të policisë në shumicën e shteteve në botë,  kontrollin e brendshëm apo vetëkontrollin dhe kontrollin e jashtëm i cili realizohet nga institucionet e tjera.

 

2.1. Kontrolli i brendshëm

 

Kontrolli i brendshëm i policisë nënkupton kontrollin që e bënë vetë policia apo vetëkontrollin, për zbatimin e autorizimeve të policisë, e në radhë të parë, të përdorimit të mjeteve të detyrimit.

Në kuadër të këtij studimi shkencor fokusi do të përqendrohet në kontrollin e jashtëm të policisë, por do të potencohet edhe kontrolli i brendshëm i policisë në mënyrë më sipërfaqësore.    

Kontrolli i brendshëm i policisë së Republikës së Kosovës bëhet nga ana e eprorëve të policisë ndaj vartësve të tyre, dhe ky kontroll ushtrohet po thuaj se çdo dite dhe në çdo moment. Natyra e punëve policore mundëson që kontrolli të jetë sa ma rigoroz dhe funksionon sipas zinxhirit komandues, nga poshtë lartë.

2.2. Kontrolli i jashtëm

 

Kontrolli i jashtëm i policisë, zbulimi i keqpërdorimeve dhe tejkalimeve të autorizimeve, varet më së shumti nga ankesat e qytetarëve, pavarësisht se shumë polici verifikojnë ndershmërinë e pjesëtarëve të tyre, me metoda të ndryshme të kontrollit, prapë se prapë ka

keqpërdorime në kryerjen e detyrave.[34] Kontrolli i jashtëm më shumë ka të  bëjë më veprimet policore të cilat bien ndesh me ligjet e aplikuara ne vend dhe te cilat  veprime kanë elemente te veprave penale, ku poenta e këtij kontrolli është që të mblidhen prova dhe argumente me qëllim të inicimit dhe fillimit të procedurës penal ndaj atyre policëve të cilët dyshohen se janë të implikuar në raste të tilla.

3. Kontrolli i policisë së Kosovës

 

Kontrolli i policisë së Kosovës bëhet nga mekanizma profesional dhe kompetent në kryerjen e detyrave të tyre, kur jemi te kontrolli i jashtëm mundemi të konstatojmë se një formë të kësaj kontrolle pos institucioneve kompetente që merren me ndjekjen dhe gjykimin e kryerësve (policëve) të veprave penale një formë të kontrollit të jashtëm të policisë së Kosovës bëhet në aspektin politikë bërjes së çështjeve të sigurisë nga Komisioni Parlamentar për Siguri dhe në aspektin administrativo-disiplinor nga Inspektorati Policor i Kosovës.

3.1. Komisioni parlamentar për siguri (mbikëqyrja dhe kontrolli parlamentar)

 

Komisioni Parlamentar për Siguri, është trup punues i Kuvendit të Kosovës i cili bën mbikëqyrjen apo kontrollin parlamentar mbi segmentet e sigurisë. Ky komision angazhohet për të zhvilluar dhe mbikëqyrur politikat dhe strategjitë që kanë të bëjnë me sigurinë e brendshme, mbikëqyr edhe shpenzimet dhe menaxhimin financiar të MPB-së dhe në veçanti të policisë së Kosovës, si dhe mbikëqyr çështjet  lidhur me masat disiplinore ndaj pjesëtarëve të policisë.

 Komisioni parlamentar për siguri mbikëqyr menaxhimin dhe dhënien e dokumentacionit personal dhe dokumentacioneve të udhëtimit. Gjithashtu mbikëqyr implementimin e standardeve evropiane lidhur me strukturimin dhe veprimtarin e strukturave të sigurisë ne Kosovë. Si dhe komisioni së bashku me MPB-në, do të inicioj marrëveshje bilaterale dhe multilaterale në fushën e sigurisë dhe mbrojtjen kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. [35]

Komisionit parlamentare të sigurisë i raportojnë personat përgjegjës në menaxhimin e lartë të sektorëve të sigurisë në Kosovë, duke iu dërguar raporte për punën që e bëjnë dhe hapat të cilët do të ndërmarrin në të ardhmen me qëllim që të parandalojnë dhe hetojnë krimet të cilat mundë të kryhen.

3.2. Inspektorati policor i Kosovës (inspektimi dhe hetimi i shkeljeve të rënda disiplinore)

 

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) është organ i cili vepron si agjension i pavarur nga policia në kuadër të MPB-së, dhe i cili ka për qëllim që të kontrolloj punën e policisë së Kosovës. Për kryerjen e të gjitha këtyre punëve duhet një staf i përgatitur mirë profesionalisht,

me një vizion të qartë dhe të vetëdijshëm për gjendjen që kemi trashëguar pas luftës së fundit në Kosovë.

Policia e Kosovës si organizata më e re policore në rajon, pa ndonjë traditë të madhe, dhe me një përvojë vetëm disa vjeçare, me vështirësi do t’i përmbush dhe realizoj të gjitha këto detyra. Policia e Kosovës edhe pse është e thirrur për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat dhe lirit e njeriut, nuk do të mundet të kryej detyrat policore në mënyrë efikase ashtu sikurse çdo polici në botë, pa bërë edhe shkelje të po këtyre të drejtave.

Policinë duhet ta kontrolloj një mekanizëm i pavarur, i cili do të kujdeset që policia e Kosovës të jetë në hap me të priturat nga popullata, të veproj në përputhje me ligjet e aplikuara në Kosovë, dhe të veproj në mënyrë efikase, gjithnjë duke respektuar edhe aktet dhe konventat më të rëndësishme ndërkombëtare të cilat parashohin mbrojtjen dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. si dhe duke respektuar KEEP-në, i cili është dokument bazë për punën e  policisë.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) të OKB-së, në Kosovë e formon Inspektoratin Policor për të bërë kontrollime dhe inspektime të ShPK-së, si dhe hetimin e pohimeve për shkelje të rënda disiplinore nga policët ose personeli civil i ShPK-së.[36] inspektorati policor i Kosovës është krijuar si agjension i pavarur që të mbikëqyr dhe vëzhgoj, punën e policisë në vendin tonë, i cili model është marrë nga Britania e Madhe.

            Inspektorati punën e vetë e bazon vetëm në fakte dhe prova të mbledhura në bazë të autorizimeve, me qëllim që të mos ndodhë, që ndonjë pjesëtar i policisë së Kosovës të pësoj si rezultat i hakmarrjeve, inateve apo duke u bazuar në ndonjë lloj diskriminimi, si pasoj e të cilit do të trajtohet ndryshe nga të tjerët.

Pjesëtarët e inspektorati policor i Kosovës janë profesionist të vërtet, të përgatitur dhe të trajnuar që autorizimet e inspektorit policor ti përmbushin me profesionalizëm dhe në bazë të ligjit.

Krijimi inspektoratit policor për qytetarët është një alternativ më e mirë dhe më e sigurt, sepse mbikëqyrja e policisë, bëhet nga një institucion i pavarur dhe i ndarë nga policia e Kosovës. Inspektorati policor i Kosovës është themeluar në bazë të Rregullores së UNMIK-ut Nr. 2005/54. Ky institucion është formuar nga PSSP-ja, për të bërë kontrollime dhe inspektime të ShPK-së, dhe për të raportuar përmbushjen dhe efektivitetin e këtij shërbimi në arritjen e objektivave dhe synimeve të përcaktuara, si dhe për të hetuar pohimet për kryerjen e shkeljeve të rënda disiplinore nga policët ose personeli civil i SHPK-së.[37] Implementimi i kësaj Rregullore është  bërë në mënyrë të detajuar nga urdhëresa administrative Nr. 2006/9.

 

3.2.1. Autorizimet e inspektoratit policor të Kosovës

 

      Inspektorati Policor i Republikës së Kosovës, si agjension ekzekutiv në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i pavarur nga policia e republikës së Kosovës, ka këto autorizime:

  1. të zhvilloj inspektime ndaj policisë së republikës së Kosovës  dhe të raportojnë mbi punën dhe efikasitetin në arritjen e qëllimeve;
  2. të hetojë akuzat për shkelje të rënda disiplinore ndaj të gjithë punonjësve të policisë pa dallim grade dhe të gjitha shkeljet e tjera ndaj pozitave të larta ekzekutive, dhe t’i rekomandojë komisionit për emërime të larta dhe disiplinë në polici se çfarë mase disiplinore, nëse është e nevojshme duhet të shqiptohet.[38]

 

3.2.2. Llojet e inspektimeve në inspektoratin policor të Kosovës

 

Institucioni i inspektoratit, për të realizuar qëllimin për të cilin është themeluar natyrisht se duhet të ndërmerr disa veprime, me të cilat ai kryen punën dhe realizon misionin e vetë.      

            Metodat kryesore në të cilën mbështetet inspektoratit policor të Kosovës, janë mbledhja e informatave për pjesëtarët e policisë së Kosovës përmes formave të ndryshme, të cilat kuptohet janë në përputhje me ligjet e aplikuara në Kosovë, e posaçërisht përmes inspektimeve të cilat i kryen, duke intervistuar policët, eprorët dhe duke bërë inspektime të dokumentacioneve të Policisë së Kosovës.

  Inspektimet janë të ndara në dy lloje:

  1.  
    • inspektimet e zakonshme, dhe
    • inspektimet e jashtëzakonshme.[39]

Inspektimet duhet të autorizohen nga kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, duke u dhënë në formë të shkruar për kryerjen e inspektimeve të zakonshme jepen në fillim të vitit dhe i mbaron afati në fund të vitit përkatës. Ndërsa inspektimit e jashtëzakonshëm autorizohen për shtatëdhjetë e dy (72) orë,me mundësi vazhdimi nëse ekzistojnë arsye të bazuara për kryerjen e detyrave.[40]

 

3.2.3. Fushat e inspektimit  në inspektoratin policor të Kosovës

 

Ekzistojnë gjithsej katërmbëdhjetë fusha në të cilat inspektorati policor, bënë inspektime të zakonshme, dhe për secilën fushë duhet të kryhet nga një inspektim. Për të cilin duhet të përpilohet një raport mbi gjendjen në atë fushë, në fund të çdo viti kalendarik dhe duhet t’i paraqitet ministrit të Punëve të Brendshme, një raport vjetor i përmbledhur për të gjitha fushat.

Bëhen edhe inspektime të jashtëzakonshme varësisht prej nevojave që paraqiten gjatë punës së policisë së Kosovës. Fushat të cilat inspektohen, në inspektime të zakonshme nga inspektorët policor janë:

  • menaxhimi i objekteve policore;
  • menaxhimi i buxhetit, financave dhe prokurimit;
  • menaxhimi i parkut të automjeteve dhe pajisjeve;
  • menaxhimi i burimeve njerëzore;
  • menaxhimi i armëve, municionit dhe pajisjeve tjera;
  • menaxhimi në raste të arrestit dhe ndalimit dhe paraburgimit policor;
  • menaxhimi i krimeve kundër minoriteteve dhe lirisë së lëvizjes;
  • menaxhimi i patrullimeve;
  • menaxhimi i hetimit dhe zbulimit të krimit;
  • menaxhimi i ankesave kundër policisë dhe hetimi i shkeljeve disiplinore;
  • menaxhimi i planeve për policore lokale, sigurisë së qytetarëve dhe iniciativave të aktiviteteve policore në komunitet;
  • menaxhimi i procedimit të të dhënave personale në përputhje me ligjin e aplikueshëm.
  • menaxhimi i policisë kufitare; dhe
  • fusha tjera të parapara nga ana e kreyshefit të inspektoratit ose Ministrit. [41]

 

 

 

Përfundimet :

 

  • Roli i policisë në te gjitha shtetet është i një rëndësie të madhe në ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike si dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut si institucion me rendësi specifike ne strukturat e sigurisë sistemin juridik të shteteve përkatëse, andaj edhe në vendin tonë janë marrë si model apo për bazë përvojat e policive më bashkëkohore dhe më profesionalet në ndërtimin e policisë së Kosovës. Treguesi më i mirë për këtë konstatim është performanca e policisë së Kosovës në raport me policitë e shteteve në rajon.

 

  • Organizimi i policisë në shumicën e vendeve të cilat janë trajtuar gjatë këtij punimi është po thuaj se i ngjashëm me disa dallime të vogla në formën e organizimit  ku disa shtete kanë organizim të ndarë në dy, tre apo katër nivel. Por konsiderojmë se këto ndarje më shumë i takojnë aspekteve të realizimit të punëve praktike policore brenda për brenda shteteve, varësisht nga ajo se si është strukturuar ndarja e brendshme e sistemit policor se sa kanë në fakt ndonjë dallim thelbësor në organizimin e sistemeve policore të trajtuara.  Policia e Kosovës ka akceptuar një formë të organizimit të saj, të atillë që funksionimin e policisë e ka të ndarë në nivel qendror (Komanda Qendrore e Policisë së Kosovës) dhe nivel lokal (Komandat Regjionale siç janë: Prishtina, Ferizaji, Gjilani, Peja, Mitrovica dhe Prizreni), mandej në kuadër të regjioneve bëjnë pjesë stacionet përkatëse. Çështje tejet me rëndësi që duhet të potencohet është se policia e Kosovës ka vetëm një zinxhir komandues unik, i cili gjendet në Komandën qendrore në Prishtinë.

 

  • Kontrolli i policisë në përgjithësi është çështje mjaft sensitive  por e domosdoshme dhe shumë e rëndësishëm, ngase policia si  një mekanizëm i rëndësishëm i shtetit nëse nuk ka kontroll mundet lehtë të devijoj nga qëllimi i sajë. Pikërisht për këtë arsye edhe zbatohen forma të ndryshme të kontrollit ndaj policisë pa të drejtë të ndërhyrjes në çështjet e operative të sajë dhe pa penguar kryerjen e punëve policore. Ne jemi ndaluar vetëm në disa nga format e kontrollit të policisë së Kosovës duke qenë të vetëdijshëm se ka  edhe forma të tjera të kontrollit.  Disa nga format të cilat ne i kemi trajtuar janë si në vijim: Kontrolli parlamentar i policisë së Kosovës, i cili  ushtrohet nga komisioni parlamentar përpuno të brendshme dhe siguri, i cili komision

 

 

 

është në kuadër të Kuvendit të Kosovës, dhe i cili e mbikëqyre punën e institucioneve të sigurisë në Kosovë. Mandej kemi trajtuar edhe Kontrollin administrativ – disiplinor ndaj Policisë së Kosovës e ushtron Inspektorati Policor i Kosovës, i cili organ inspekton menaxhmentin e lartë të policisë së Kosovës ne lidhje me mënyrën e menaxhimit të  planeve operative të zbatuara si dhe heton ankesat rreth shkeljeve të renda disiplinore ndaj pjesëtarëve të policisë që ushtrohen nga qytetarët apo edhe nga vetë zyrtarët policor përgjegjës në Policinë e Kosovës.

 

 

 Autori:  Mr. Xhevdet HALILI, Phd.Cand.,

Asistent i Katedrës Penale

Fakulteti Juridik

Universiteti i Prishtinës

 


[1] Dr. Ramo Maslesha, Policia dhe Shoqeria, Sarajevë/Prishtinë, 2008, faqe 11.

[2] Dr. Vesel Latifi, Taktika Kriminalistike, Prishtinë, 2001, faqe 26.

[3] Dr. Ramo Maslesha, Policia dhe Shoqëria, Sarajevë/Prishtinë, 2008, faqe 13.

[4] Dr. Frank Harris, The Role of Capacity-Building in Police Reform, Prishtinë, 2005, faqe 15.

[5] Kodi Evropian i Etikës Policore, Këshilli i Evropës, 2001, faqe 3.

[6] Po aty, faqe 5.

[7] www.acnss.com. Politika dhe Policimi, (qasur me: 25.03.2008).

[8] Ligji për Policin e Shtetit (Republika e Shqipërisë), Nr. 9749, i datës 04.06.2007, neni 6 pika 1.

[9] Dr. Ramo Masleša , Policia dhe Shoqëria, Sarajevë/Prishtinë, 2008, faqe 271.

[10] Po aty, faqe 261.

[11] Po aty, faqe 275.

[12] Ligji për Policinë, Nr.03/L-035, Neni 31, pika 1.

[13] Dr. Werner Wajdenfeld, Dr. Wolfgang wessels, EVROPA prej A deri në ZH, Prishtinë, 2004, faqe 87-88.

[14] Dr. Ismet Salihu, E Drejta Penale Ndërkombëtare, Prishtinë, 2005, faqe 217,218,219.

[15] www.indepedentkosova.com, Të gjitha kushtetutat e Kosovës, (qasur me: 22.02.2008).

[16] Sqarim : Ku thuhet  policia, në atë kohë njihej si “milicia.”

[17] www.osce.org, Edukimi dhe zhvillimi i policisë, (qasur me 20.03.2008).

[18] www.kosovopolice.com, Historiku i ShPK-së, (qasur me 21.03.2008).

[19] Raporti Vjetor 2006, i Inspektoratit Policor të Kosovës, faqe 55.

[20] Raporti Vjetor 2007, i Shërbimit Policor të Kosovës, faqe 4.

[21] Plani Strategjik i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës 2007–2010, Prishtinë, faqe 4.

[22] Ligji për Policinë, Nr.03/L-035, neni 4, pika 1,2,3.

[23] Rregullorja 2005/54. Parimet dhe Procedurat e SHPK-së, neni 1. pika 1.

[24] Dr. Bajram Yzeiri, Manaxhimi i Policisë, Tiranë, 2003, faqe 17.

[25] Dr.Vesel Latifi, Kriminalistika e Delikuencës së të Miturve, Prishtinë, 1982, faqe 358.

[26] Dr. Ragip Halili, Penologjia, Prishtinë, 2000, faqe 55.

[27] Ligji për Policinë, Nr. 03/L-035, Neni 10, pika 1.

[28] Kodi i Procedurës Penale të Kosovës, neni 200, paragrafi 2.

[29] Dr. Ejup Sahiti, E drejta e Procedurës Penale, Prishtinë, 2005, faqe 191.

[30] Dr. Azem Hajdari, E Drejta e Procedurës Penale e të Miturve, Prishtinë, 2005, faqe 79-80.

[31] Dr. Ramo Masleša, Policia dhe Shoqëria, Sarajevë/Prishtinë, 2008, faqe 71.

[32] Dr. Hans Born, Mbikëqyrja Parlamentare në Fushën e Sigurisë, Gjenevë, 2003, faqe 61.

[33] Po aty, faqe 61.

[34] Dr. Haris Haliloviq, Dr. Elmedin Muratbegoviq, E Drejta Policore (ligjërata të autorizuara),

    Sarajevë/Prishtinë, 2007, faqe 23.

[35] ëëë.asambly-kosova.org.  Komisioni për Siguri, pika 1,5,7,8 dhe 10,(qasur me 13.02.2008).

[36] Rregullorja Nr. 2005/54, Parimet dhe Procedurat e ShPK-së, neni 9. pika 1.

[37] Po aty.

[38] Ligji për Inspektoratin Policor të Kosovës, Nr.03/L-036, Neni 10.

<Po aty, Nr. 03/L-036, Kreu V, Neni 16.

Ligji për Inspektoratin  Policor të Kosovës, Nr.03/L-036, Neni 17.

About these ads

Diskutim

2 mendime mbi “ROLI, ORGANIZIMI DHE KONTROLLI I POLICISË SË KOSOVËS

  1. Publikoni edhe doracakun e PK-se dhe transmetoni edhe ndryshimet. Flm

    Postuar nga Urko | Shtator 30, 2011, 7:47 pm
  2. Hello, i believe that i saw you visited my web
    site so i got here to return the want?.I am attempting to
    to find issues to enhance my website!I guess its ok to use
    some of your concepts!!

    Postuar nga baby car seats for cheap | Shtator 29, 2012, 7:00 pm

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: